
Përzgjedhësi i Kosovës U21, Afrim Tovërlani ka reaguar pas vendimit të futbollistit Diar Vokrri për t’iu bashkuar Shqipërisë U21 gjatë ndeshjeve të nëntorit.
Tovërlani ka deklaruar për Dueli Sportiv se askujt nuk i garantohet vend në formacion dhe se fanella e Dardanëve nuk duhet të kushtëzohet.
“Diar Vokrri ka kërkuar vend të garantuar në formacion, gjë që s’ka gjasa as për të e as për ndonjë tjetër. Është e padrejtë të kushtëzohet fanella dardane”, ka thënë fillimisht Tovërlani.
“Ka thënë pse po e shtini Sadriun në vendin tim – a flitet kështu për bashkëlojtarin? Unë dhe të gjithë kemi vetëm vdekjen të garantuar, asgjë tjetër në këtë jetë!”.
“I trajtoj të gjithë të barabartë, nuk bëj hile kurrë. Mund të gaboj, por jo me qëllim. Për mua primare janë rezultatet dhe fanella dardane”.

“Menaxherët po i shkatërrojnë futbollistët për interesa personale. Në ndeshjen ndaj Turqisë, nga pesë rivënie të autit, katër ia mori arbitri sepse i ekzekutonte gabimisht!”.
“Nëse Bushi ia garanton vendin, ja paftë hairin – vetëm të mos kërkojë të kthehet te Dardanët, si shumë të tjerë viteve të fundit! I uroj suksese Diar Vokrrit”, përfundoi trajneri i Kosovës U-21. /Kampionet/



