
Pas një fillimi të zbehtë të sezonit, Llapi është rikthyer fuqishëm në garë dhe në qendër të këtij ndryshimi qëndron kapiteni i ri i skuadrës – Axel Gnapi. Me gjashtë gola dhe tre asistime në vetëm pak javë, sulmuesi francez me prejardhje nga Bregu i Fildishtë ka shndërruar dyshimet në besim, duke u bërë jo vetëm lider në fushë, por edhe simbol i frymës së re që po e karakterizon Llapin.
Në një intervistë për Kampionetn, Gnapi flet për kthesën e skuadrës, vendimin për t’u bashkuar me klubin nga Podujeva, ndjenjën e përgjegjësisë që sjell shiriti i kapitenit, dhe dashurinë që tashmë ka gjetur në Kosovë, një vend që e quan “shtëpi të dytë”.
Në gjashtë ndeshjet e para Llapi nuk ia doli të shijojë rezultat pozitiv, por filluan serinë e fitoreve në xhiron e shtatë ndaj Gjilanit për të vazhduar deri te triumfi ndaj liderit aktual Prishtinës në xhiron e fundit.
“Është e vërtetë që fillimi i sezonit ishte shumë i vështirë. Mendoj se fillimisht asnjëherë nuk dyshuam në kualitetin e kësaj skuadre. Pastaj, kohezioni brenda dhomës sonë të zhveshjes është fantastik. Falë këtyre gjërave arritëm të kthejmë gjithçka në rrugën e duhur”, ka deklaruar Gnapi fillimisht.
Axel Gnapi
Nga Prishtina, Gnapi bëri kalimin befasues te Llapi gjatë afatit kalimtar veror dhe arsye për këtë, sipas tij, ishte projekti që i prezantoi klubi.
“Zgjedhja ime u bazua në interesimin që Llapi tregoi për të më pasur në skuadër, në projektin e tyre të qartë dhe në dëshirën e drejtpërdrejtë dhe të sinqertë për të më pasur pjesë të ekipit. Jam shumë i lumtur te Llapi këtë vit dhe do të jap gjithmonë maksimumin për t’i bërë krenarë tifozët e klubit”.
Me gjashtë gola dhe tre asistime, Gnapi po kalon një formë fantastike, por për sulmuesin shtatlartë kjo nuk është e mjaftueshme.
“Si sulmues, qëllimi im është të jem sa më vendimtar. Jo vetëm përmes golave, por edhe me asistime dhe ndikimin tim të përgjithshëm në lojën e ekipit. Aktualisht kam gjashtë gola dhe tre asistime, dhe i lutem Zotit të shënoj sa më shumë dhe të kontribuoj me sa më shumë asistime”.
Axel Gnapi
Trajneri i Llapit, Tahir Batatina vendosi që këtë edicion shiritin e kapitenit t’ia besojë Gnapit. Për këtë ai ndjen një privilegj të madh.
“Të jesh kapiten i kësaj skuadre është një nder për mua, por nuk mund të flas për këtë pa përmendur besimin e trajnerit tim Tahir Batatina dhe stafit, por edhe më shumë të liderëve të këtij ekipi si Benjamin Emini, Arbnor Ramadani, Bujar Idrizi, Kushtrim Shabani, Besar Musolli etj. Ata ma kanë bërë më të lehtë këtë rol, më kanë ndihmuar jashtëzakonisht shumë dhe unë gjithmonë i dëgjoj me respektin më të madh”, vazhdoi Gnapi.
24-vjeçari shton se objektivi i Llapit është kualifikimi në garat evropiane, duke përmendur klubet që sipas tij do t’i rivalizojnë ata në këtë drejtim.
Axel Gnapi
“Llapi është një klub prestigjioz dhe objektivat e tij janë të qarta, të kualifikohemi në garat evropiane dhe të përfundojmë sa më lart në renditje. Duhet të vazhdojmë kështu, sepse kjo është vetëm fillimi”.
“Këtë vit në ligë ka disa skuadra shumë të forta si Prishtina, Ballkani, Dukagjini, Drita etj. Të gjitha janë kundërshtarë të denjë në garën për kualifikim në Evropë, por me kualitetin që ka skuadra jonë, asnjë prej tyre nuk na tremb”.
Për fund, Gnapi tha se ndjehet shumë i lumtur në Kosovë, vend të cilin tashmë e konsideron si “shtëpi të dytë”.
“E dua këtë vend, i cili është mikpritës në çdo aspekt. Familja ime më viziton shpesh dhe edhe ata ndihen si në shtëpi këtu. Tashmë e kuptoj pak shqipen dhe di disa fjalë, gjë që më ndihmon shumë në përshtatje. Me pak fjalë, ndihem shumë i lumtur”, përfundoi ai./Kampionet/


