
Mesfushorët shqiptarë Erblin Osmani dhe Yll Gashi kanë qenë titullarë te Bayerni U19 në humbjen 2-0 ndaj Vikingut U19, në kuadër të xhiros së dytë të fazës së ligës në “UEFA Youth League”.
Skuadra e të rinjve të gjigantit gjerman nuk arriti të marrë rezultat pozitiv në këtë përballje, ndërsa të dy futbollistët e rinj patën hapësirë që nga minuta e parë.
Osmani qëndroi në fushë deri në minutën e 87-të, duke luajtur pjesën më të madhe të ndeshjes, ndërsa Gashi u zëvendësua në minutën e 70-të.
Për Erblin Osmanin, paraqitja në këtë garë vjen pas një zhvillimi të rëndësishëm në karrierën e tij ndërkombëtare. Mesfushori tashmë është pjesë e Kombëtares së Kosovës, për të cilën debutoi muajin e kaluar në ndeshjen ndaj Irlandës, në kuadër të Ligës së Kombeve.
Osmani u aktivizua për tri minuta në atë përballje, të cilën Kosova e fitoi me rezultat 1-0. Përfshirja e tij në ekipin përfaqësues përbën një hap të rëndësishëm për futbollistin që po zhvillohet në akademinë e Bayernit.
Ndërkohë, Yll Gashi vazhdon të fitojë përvojë me ekipin U19 të klubit bavarez dhe pritet që në të ardhmen të jetë në konsideratë edhe për Kombëtaren e Kosovës.
Pavarësisht humbjes ndaj Vikingut, paraqitjet në “UEFA Youth League” u japin të dy mesfushorëve mundësinë të përballen me futbollistë të nivelit të lartë dhe të vazhdojnë zhvillimin e tyre në një prej garave më të rëndësishme evropiane për të rinj. /Kampionet/


