
Malisheva ka nisur kërkimet për trajnerin e ri pas largimit të Thomas Brdaric, ndërsa në skenë ka dalë një emër interesant nga Italia.
Sipas gazetarit Andre Oechsner, trajneri italian Luigi Nocentini është në bisedime me drejtuesit e Malishevës për të marrë drejtimin e skuadrës kosovare.
Nocentini, 37-vjeçar, së fundmi ka qenë trajner i përkohshëm i Baselit në Superligën e Zvicrës, ndërsa më herët ka punuar si ndihmës i tre trajnerëve te klubi zviceran: Fabio Celestinit, Ludovic Magninit dhe Stephan Lichtsteinerit.
Karriera e italianit përfshin eksperiencë edhe në disa prej klubeve të njohura të futbollit italian.
Ai ka punuar me Empolin, Genoan dhe Napolin, duke krijuar përvojë në nivele të ndryshme të futbollit profesionist.
Nocentini ka pasur gjithashtu një rol te Kombëtarja e Ukrainës, ku ka shërbyer si asistent.

Tani, italiani mund ta vazhdojë karrierën në Kosovë, me Malishevën që po shqyrton mundësinë për t’ia besuar atij drejtimin e skuadrës pas ndarjes me Brdaricin.
Bisedimet mes palëve janë duke u zhvilluar dhe mbetet të shihet nëse ato do të përfundojnë me marrëveshje për Nocentinin, i cili do të ishte një emër mjaft interesant për Superligën e Kosovës./Kampionet/


