
Mikel Arteta ishte zgjedhja e parë e kandidatit për president të Real Madridit, Enrique Riquelme, për postin e trajnerit të klubit, para se ky i fundit të ndryshonte qëndrim dhe të preferonte Jurgen Kloppin.
Sipas “The Athletic”, Riquelme e kishte identifikuar Artetën si një nga kandidatët për të pasuar Alvaro Arbeloan, si pjesë e planit të tij gjatë fushatës presidenciale. Trajneri i Arsenalit shihej si një opsion tërheqës për Real Madridin në prag të ndryshimit të trajnerit.
Arteta kishte nënshkruar së fundmi një kontratë të re katërvjeçare me Arsenalin, pas triumfit të klubit në Ligën Premier, por pavarësisht kësaj emri i tij ishte futur në planet e Riquelmes.

Megjithatë, planet e këtij të fundit ndryshuan dhe Klopp u bë kandidati i tij i preferuar për stolin e Real Madridit.
Në fund, Florentino Perez fitoi zgjedhjet presidenciale dhe vendosi ta rikthente Jose Mourinhon në stolin e Real Madridit.
Kështu, emri i Artetës nuk shkoi përtej fazës së hershme të konsiderimit dhe spanjolli vazhdoi punën te Arsenali.
Arteta më herët është lidhur edhe me klube të tjera të mëdha, përfshirë Barcelonën, por ka vazhduar të jetë në krye të Arsenalit. Ndërkohë, Real Madridi ka pasur një fillim jo të qëndrueshëm të sezonit nën drejtimin e Mourinhos, duke shtuar pikëpyetjet rreth vendimit për rikthimin e trajnerit portugez./Kampionet/


