
Mikel Arteta ka nënshkruar kontratë të re me Arsenalin, duke u bërë trajneri më i paguar në Ligën Premier pas suksesit të madh të sezonit të kaluar, kur udhëhoqi “Topçinjtë” drejt titullit kampion.
Trajneri spanjoll, i cili mori drejtimin e Arsenalit në dhjetor të vitit 2019, ka zgjatur bashkëpunimin me klubin deri në vitin 2030 dhe me gjasë do ta bëjë një dekadë tek klubi londinez.
Sipas raportimeve, Arteta do të përfitojë rreth 20.1 milionë euro në sezon, ndërsa me bonuset mund të arrijë deri në 23.6 milionë euro në vit.
Me këtë marrëveshje, Arteta kalon në krye të listës së trajnerëve më të paguar në elitën angleze. Ai lë pas Oliver Glasner, i cili raportohet se përfiton rreth 14.2 milionë euro në sezon, plus deri në rreth 2.4 milionë euro bonuse.
Arteta: Ky është vetëm fillimi
Arteta ka shprehur kënaqësinë për vazhdimin e aventurës së tij në Emirates, duke e cilësuar një privilegj të madh të jetë pjesë e klubit.
“Është privilegj të angazhohem për të ardhmen time te klubi dhe të vazhdoj të punoj me njerëz të jashtëzakonshëm që duan më të mirën për Arsenalin. Ky klub është unik, për karakterin e tij dhe mënyrën se si të bën të ndihesh”, ka deklaruar Arteta.
Ai ka theksuar se marrëdhënia e krijuar me klubin dhe tifozët ka qenë e veçantë, ndërsa beson se Arsenali ka ende shumë për të arritur.
“Kemi krijuar tashmë një lidhje të veçantë dhe kujtime që do të zgjasin gjithë jetën. Ajo që është më emocionuese është se ky është vetëm fillimi i asaj që mund të arrijmë së bashku”, ka shtuar spanjolli.
I dha fund pritjes 22-vjeçare të Arsenalit
Arteta e udhëhoqi Arsenalin drejt titullit të Ligës Premier në maj, duke i dhënë klubit trofeun e kampionatit anglez pas një pritjeje prej 22 vitesh.
Madje vitin e shkuar luajti edhe në finalen e Ligës së Kampionëve, ku pësoi vetëm pas penalltive nga PSG.
Tashmë, 44-vjeçari do të vazhdojë të jetë në krye të Arsenalit deri në vitin 2030, me një kontratë që e vendos në krye të hierarkisë së trajnerëve më të paguar në futbollin anglez./Kampionet/


