BallinaLiga Ndërkombëtare“Java e së vërtetës” për Granit Xhakën, pritet vendimi që mund t’ia...

“Java e së vërtetës” për Granit Xhakën, pritet vendimi që mund t’ia ndryshojë të ardhmen – Kampionet

Granit Xhaka përballet me një javë të rëndësishme, pasi kapiteni i Kombëtares së Zvicrës pritet të merret në pyetje nga Prokuroria Publike e Lucernit lidhur me skandalin e certifikatës së rreme të vaksinimit kundër COVID-19.

Futbollisti i Sunderlandit kishte marrë disa ditë pushim pas një periudhe të ngarkuar. Më 27 shtator, Xhaka festoi ditëlindjen e tij të 33-të së bashku me bashkëshorten Leonitën në Grantley Hall, në North Yorkshire, ndërsa më pas kaloi kohë me vajzat e tij në një fermë kungujsh në Northumberland, pranë Sunderlandit.

Megjithatë, tashmë fokusi zhvendoset te çështja që mund t’i shkaktojë probleme serioze.

Xhaka pritet të udhëtojë këtë javë drejt Lucernit, ku do të merret në pyetje nga Prokuroria Publike. Data dhe ora e marrjes në pyetje nuk janë bërë publike.

Prokuroria po e heton 33-vjeçarin nën dyshimin se ka përdorur një certifikatë të rreme të vaksinimit kundër COVID-19. Në shtator, Xhaka e pranoi publikisht se kishte blerë një certifikatë vaksinimi, edhe pse nuk ishte vaksinuar, dhe kërkoi falje për veprimin.

Në të njëjtën kohë, ai deklaroi se do të bashkëpunojë plotësisht me autoritetet.

E gjithë kjo ndodh në javën e Kombëtares së Zvicrës

Rasti bëhet edhe më interesant për shkak se marrja në pyetje e Xhakës përkon me grumbullimin e Kombëtares së Zvicrës në Lucernë.

Skuadra e Murat Yakin të martën do të përballet me Maqedoninë e Veriut, ndërsa Xhaka nuk do të jetë pjesë e ekipit.

Federata Zvicerane e Futbollit dhe Xhaka kanë vendosur bashkërisht që ai të mos marrë pjesë në këtë grumbullim.

“Pas përfundimit të kësaj periudhe ndërkombëtare, do ta rivlerësojmë situatën së bashku me Granitin dhe do të diskutojmë hapat e ardhshëm”, kishte deklaruar presidenti i federatës, Peter Knabel.

Kësisoj, kjo javë mund të jetë vendimtare jo vetëm për çështjen ligjore të Xhakës, por edhe për të ardhmen e tij me Kombëtaren e Zvicrës.

Certifikata dyshohet se u përdor gjatë një turneu të Arsenalit në SHBA

Një tjetër element që e bën rastin edhe më të ndjeshëm është përdorimi i certifikatës së rreme.

Sipas Federatës Zvicerane, certifikata nuk kishte të bënte me ndeshjet e Kombëtares apo turnetë e mëdha ndërkombëtare.

Megjithatë, tashmë është raportuar se Xhaka dyshohet se e ka përdorur atë gjatë turneut parasezonal të Arsenalit në SHBA në korrik të vitit 2022.

Në atë kohë, vaksinimi ishte ende i detyrueshëm për udhëtarët e huaj që hynin në SHBA. Xhaka ishte pjesë e Arsenalit gjatë atij turneu dhe luajti në ndeshje kundër Evertonit dhe Chelseat.

Megjithatë, mbetet për t’u përcaktuar nëse dhe në çfarë rrethanash është përdorur certifikata.

E ardhmja me Zvicrën mbetet në pikëpyetje

Një nga pyetjet kryesore është se si do të reagojë Federata Zvicerane pasi të përfundojë procedura dhe të përcaktohet dënimi eventual.

Për momentin nuk është marrë asnjë vendim për të ardhmen e Xhakës me Kombëtaren.

Pas shpërthimit të skandalit, Knabel kishte lënë të hapura të gjitha mundësitë, përfshirë edhe atë të vazhdimit të Xhakës si kapiten.

“Diskutimet do ta japin përgjigjen. Ne po i mbajmë të gjitha mundësitë të hapura”.

Federata dëshiron fillimisht të zhvillojë një takim personal me Xhakën. Vetëm pas kësaj do të vendoset nëse ai do të rikthehet te Kombëtarja në nëntor dhe nëse do ta mbajë shiritin e kapitenit.

Xhaka është rekordmen i Zvicrës me 152 paraqitje dhe një prej figurave kryesore të kësaj Kombëtareje në Kupën e Botës 2026 dhe në turnetë e mëparshëm./Kampionet/

RELATED ARTICLES

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Advertisment -Hapsir per reklama 300x250

Most Popular

Recent Comments