
Ardhja e Lionel Messit ka dhënë menjëherë efekt te Eldense, si brenda ashtu edhe jashtë fushës.
Vetëm një ditë pas zyrtarizimit të blerjes së 100 për qind të klubit nga argjentinasi, skuadra spanjolle regjistroi një fitore të thellë 4-1 ndaj Real Oviedos, duke marrë suksesin e parë që nga kalimi i pronësisë te Messi.
Operacioni, i zyrtarizuar më 1 tetor 2026, e ka futur 39-vjeçarin në futbollin profesionist spanjoll në rolin e pronarit.
Megjithatë, blerja ende duhet të marrë miratimin përkatës nga Këshilli i Lartë i Sporteve (CSD), në mënyrë që procesi të përfundojë edhe administrativisht.

Ndeshja ndaj Real Oviedos nisi në mënyrën më të keqe të mundshme për Eldensen, pasi mysafirët kaluan në epërsi vetëm pak sekonda pas fillimit. Megjithatë, skuadra e drejtuar nga Javi Calleja reagoi fuqishëm në pjesën e dytë dhe përmbysi gjithçka me katër gola.
Roberto Lopez dhe Fidel realizuan nga pika e bardhë, ndërsa Aingeru Olabarrieta dhe Jorge Rastrojo vulosën fitoren 4-1 në minutat e fundit. Ky rezultat ishte njëkohësisht edhe triumfi i parë i Eldenses si vendas këtë sezon.
Messi e ndoqi ndeshjen nga Argjentina dhe më pas publikoi një fotografi teksa po e shikonte takimin.
Përmes një mesazhi, ai shprehu mbështetjen për skuadrën, duke treguar se tashmë po e ndjek nga afër ecurinë sportive të klubit të tij të ri.
Fitorja ishte e rëndësishme edhe për situatën e Eldenses në tabelë, pasi skuadra e kishte nisur sezonin me vështirësi. Para këtij takimi, ekipi nga Alicante kishte regjistruar vetëm një fitore në shtatë javët e para.
Ndërkohë, ndikimi i Messit është ndier fuqishëm edhe jashtë fushës. Pas publikimit të lajmit për blerjen e klubit dhe interesimit të drejtpërdrejtë të argjentinasit, Eldense ka fituar një vëmendje të madhe ndërkombëtare.
Sipas të dhënave të publikuara pas fitores ndaj Oviedos, llogaria zyrtare e Eldenses në rrjetet sociale është rritur nga rreth 140 mijë në mbi 210 mijë ndjekës brenda vetëm 12 orësh.
Messi ka blerë aksionet që më parë ishin në pronësi të grupit kolumbian që kontrollonte klubin, duke bërë kështu një tjetër investim në futbollin spanjoll. Argjentinasi më herët kishte marrë në pronësi edhe UE Cornellan.
Tani pritet përfundimi i procedurave administrative dhe miratimi nga CSD, si dhe përcaktimi i strukturës së re drejtuese të klubit.
Ndërkohë, Messi e ka nisur epokën e tij te Eldense në mënyrën më të mirë të mundshme: me një fitore bindëse dhe me një rritje të ndjeshme të vëmendjes ndaj klubit. /Kampionet/


