
Lennart Karl po vazhdon të mahnitë me paraqitjet e tij për Bayern Munich, duke u bërë një nga emrat më të përfolur në futbollin gjerman.
Vetëm 17-vjeçar, ai ka thyer disa rekorde në rrugëtimin e tij me bavarezët dhe është bërë pjesë e pandashme e planeve të klubit për të ardhmen.
Sipas mediave gjermane, Bayern ka planifikuar tashmë rinovimin afatgjatë të kontratës së tij. Me të mbushur 18 vjeç në muajin shkurt, marrëveshja aktuale e Karl do të zgjatet automatikisht deri në vitin 2029.
Kontrata e re do të jetë profesionale dhe do të përfshijë një ngritje të konsiderueshme në pagë, ndërsa nuk do të ketë asnjë klauzolë lirimi, një strategji e qartë e klubit për të mbajtur larg interesimet e skuadrave të tjera të mëdha evropiane.

Pavarësisht interesimit të hershëm nga disa klube të Ligës Premier dhe Serie A, Karl nuk ka ndërmend të largohet nga Munichu.
Qëllimi i tij kryesor mbetet të konsolidojë vendin te Bayerni dhe të fitojë një ftesë nga Kombëtarja e Gjermanisë për Kupën e Botës vitin e ardhshëm.
Anësori i talentuar ka qenë vendimtar në javët e fundit, duke shënuar në dy ndeshje radhazi kundër Club Brugge dhe Borussia Monchengladbach, duke konfirmuar statusin e tij si një nga yjet më premtues të brezit të ri në futbollin gjerman. /Kampionet/


