
Pep Guardiola ka reaguar pas vendimit të Komisionit të pavarur lidhur me çështjen financiare të Manchester Cityt, duke shprehur mbështetjen e tij të plotë për klubin, drejtuesit, lojtarët dhe tifozët.
Ish-trajneri i “Qytetarëve”, i cili u largua nga klubi gjatë verës, iu drejtua tifozëve të Manchester Cityt me një mesazh të fuqishëm, duke theksuar se qëndrimi i tij ndaj klubit nuk ka ndryshuar.
“Dua që çdo tifoz i Manchester Cityt në mbarë botën ta dijë se jam këtu, më shumë se kurrë. Jam, gjithmonë kam qenë dhe gjithmonë do të jem, në krah të klubit tim, pronarit tim, presidentit tim, Ferranit, lojtarëve, stafit, Enzos dhe juve, tifozëve tanë unikë”, shkroi Guardiola.
“Le të jem i qartë: do ta kalojmë këtë së bashku. Ju dua të gjithëve”, shtoi ai.
Reagimi i spanjollit vjen një ditë pasi Liga Premier njoftoi se një Komision i pavarur e ka gjetur Manchester Cityn fajtor për të gjitha akuzat që lidhen me shkelje serioze të rregullave financiare gjatë një periudhe nëntëvjeçare, nga sezoni 2009/10 deri në 2017/18. Komisioni gjithashtu konstatoi se klubi kishte shkelur shumicën e akuzave që lidhen me mosbashkëpunimin me hetimin.
Sipas gjetjeve të publikuara nga Liga Premier, City kishte përdorur marrëveshje të konsideruara “fiktive” me disa partnerë komercialë për të rritur artificialisht të ardhurat dhe për të ulur kostot. Komisioni konstatoi gjithashtu se klubi kishte paraqitur të dhëna financiare jo të sakta dhe kishte shkelur rregullat e shpenzimeve të Ligës Premier dhe UEFA-s.
Vlera e marrëveshjeve të kontestuara lidhet me qindra milionë euro; sipas raportimit të Sky Sports, skema e financimit të maskuar kishte të bënte me rreth 955 milionë euro.
Megjithatë, çështja ende nuk ka përfunduar. Manchester City ka deklaruar se është “i zhgënjyer dhe i befasuar” nga vendimi dhe ka bërë të ditur se do ta apelojë atë, duke pretenduar se vendimi përmban gabime materiale në ligj, parim dhe fakte./Kampionet/



