BallinaLiga NdërkombëtareKosova në fokusin e FIFA-s: Sanije Krasniqi flet për Akademinë e Talenteve...

Kosova në fokusin e FIFA-s: Sanije Krasniqi flet për Akademinë e Talenteve dhe të ardhmen e futbollit – Kampionet

FIFA ka publikuar një intervistë të veçantë me Sanije Krasniqin, Drejtoreshën e Edukimit të Trajnerëve në Federatën e Futbollit të Kosovës dhe udhëheqësen e FIFA Talent Academy për Kosovën, duke e vendosur në fokus mënyrën se si vendi po ndërton një sistem afatgjatë për zhvillimin e futbollistëve të rinj.

Në artikullin e publikuar nga FIFA Training Centre më 24 shtator, Krasniqi flet për rëndësinë e bashkëpunimit, shkëmbimit të njohurive dhe krijimit të një rruge të qëndrueshme për talentet kosovarë.

Sipas saj, hapja e FIFA Talent Academy në vitin 2026 ishte një moment i rëndësishëm, por duhet të shihet vetëm si fillimi i një procesi shumë më të gjatë.

“Dua të sigurohem që njohuritë dhe metodologjia që marrim përmes bashkëpunimit me FIFA-n të shpërndahen përtej Akademisë, në mënyrë që projekti të ketë ndikim më të gjerë në zhvillimin e futbollit në Kosovë”, ka thënë Krasniqi për FIFA Training Centre.

Akademia e Talenteve u hap në kohë rekord

FIFA veçon në artikull edhe ritmin me të cilin Kosova e realizoi këtë projekt.

FIFA Talent Academy në Kosovë u lansua në shtator të vitit 2026, vetëm nëntë muaj pasi kishte nisur projekti.

Sipas FIFA-s, kjo ishte koha më e shpejtë në të cilën një federatë kishte arritur ta përfundonte këtë proces, ndërsa zakonisht një projekt i tillë kërkon rreth dy vjet.

Akademia aktualisht përfshin 40 futbollistë të grupmoshës U-14, prej tyre 20 djem dhe 20 vajza. Megjithatë, Krasniqi thekson se suksesi i këtij projekti nuk duhet të matet vetëm me numrin e lojtarëve të identifikuar.

Synimi është që këta futbollistë të kenë një rrugë të qartë zhvillimi, e cila në të ardhmen mund t’i çojë drejt ekipeve kombëtare të grupmoshave dhe ekipit përfaqësues A.

Në të njëjtën kohë, projekti synon përmirësimin e ambientit të zhvillimit të lojtarëve dhe rritjen e cilësisë së trajnerëve.

Jo vetëm akademia, por një sistem i tërë

Një nga pikat kryesore të intervistës është ideja që njohuritë e fituara përmes FIFA Talent Academy të mos mbeten vetëm brenda këtij projekti.

Krasniqi thotë se hapi i radhës është që Akademia të bëhet pjesë integrale e sistemit të përgjithshëm të zhvillimit të talenteve në Kosovë. Në këtë proces përfshihen identifikimi i lojtarëve, zhvillimi individual i tyre, edukimi i trajnerëve dhe lidhja më e fortë ndërmjet Akademisë, klubeve dhe ekipeve kombëtare.

“Një tjetër kriter i rëndësishëm i suksesit është nëse njohuritë dhe metodologjia e projektit bëhen pjesë e federatës dhe ndahen me trajnerët dhe klubet”, ka deklaruar ajo.

Në këtë mënyrë, sipas Krasniqit, suksesi nuk do të ishte vetëm prodhimi i disa futbollistëve të talentuar, por ngritja e standardit të përgjithshëm të zhvillimit të talenteve në Kosovë.

Krasniqi si lidhëse mes FIFA-s, klubeve dhe kombëtareve

FIFA e përshkruan gjithashtu rolin e Krasniqit si një rol koordinues mes pjesëve të ndryshme të futbollit kosovar.

Ajo punon në lidhjen e zhvillimit të talenteve me edukimin e trajnerëve, klubet dhe ekipet kombëtare, duke bashkëpunuar me FIFA-n, trajnerin e Akademisë, drejtuesit teknikë të FFK-së, trajnerët lokalë dhe aktorë të tjerë të futbollit.

“E shoh rolin tim si ndihmë për të ndërtuar një rrugë të qëndrueshme për lojtarët e rinj të talentuar në Kosovë, duke siguruar që njohuritë, metodologjia dhe mundësitë e krijuara përmes FIFA Talent Development Scheme të kenë ndikim afatgjatë në sistemin tonë të futbollit”, ka thënë Krasniqi.

Diploma e FIFA-s që ndikoi në projektin e Kosovës

Një pjesë e rëndësishme e intervistës lidhet edhe me përvojën e Krasniqit në FIFA Technical Leadership Diploma, program për drejtuesit teknikë të futbollit nga vende të ndryshme të botës.

Krasniqi tregon se ky program e ka ndihmuar në zhvillimin e aftësive të lidershipit, bashkëpunimit me palë të ndryshme dhe në proceset e vendimmarrjes. Por, mbi të gjitha, ajo veçon shkëmbimin e përvojave me drejtues të tjerë teknikë.

Sipas saj, pikërisht prezantimet dhe rastet e FIFA Talent Academy nga federatat e tjera e kanë frymëzuar që të eksplorojë mundësinë e aplikimit të një projekti të tillë edhe në Kosovë.

“Për mua, ky është një shembull i shkëlqyer se si mësimet nga FIFA Technical Leadership Diploma mund të aplikohen drejtpërdrejt në punën tonë të përditshme dhe të krijojnë ndikim real”, ka deklaruar Krasniqi.

Me këtë intervistë, FIFA e vendos Kosovën në mesin e shembujve ku zhvillimi i talenteve po trajtohet si një proces afatgjatë, ku krahas identifikimit të lojtarëve synohet edhe krijimi i një sistemi që lidh akademitë, klubet, trajnerët dhe ekipet kombëtare. /Kampionet/

RELATED ARTICLES

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Advertisment -Hapsir per reklama 300x250

Most Popular

Recent Comments