
Përgatitjet për ndeshjen e Ligës së Kombeve ndërmjet Kosovës dhe Republikës së Irlandës në Prishtinë kanë tërhequr vëmendjen edhe të mediave irlandeze, të cilat krahas futbollit kanë raportuar gjerësisht për atmosferën në kryeqytet dhe protestat pas aktgjykimit ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Gazetari i “The 42”, David Sneyd, në një reportazh nga Prishtina ka përshkruar atmosferën në prag të ndeshjes, duke nisur nga Bulevardi “Nënë Tereza”, ku, sipas tij, tifozët irlandezë janë përzier me qytetarët në një ambient të qetë.
Ai shkruan se pranë stadiumit “Fadil Vokrri” kishte takuar edhe tifozë të Irlandës, të cilët po prisnin ndeshjen e parë të Grupit B3 të Ligës së Kombeve.
Megjithatë, një pjesë e madhe e reportazhit të Sneyd i kushtohet situatës politike dhe protestave që po zhvillohen në Prishtinë pas vendimit të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Gazetari irlandez përshkruan flamujt dhe simbolet e UÇK-së përgjatë Bulevardit “Nënë Tereza”, si dhe pankartat me mesazhet “Jo në emrin tim”, “Sillini në shtëpi” dhe “Liria ka emër”.
Ai përmend edhe dy burra që po ecnin në bulevard, njëri me një bluzë ku identifikohej si veteran i UÇK-së, ndërsa tjetri me stemën e UÇK-së dhe fotografitë e katër ish-krerëve të saj.
Sneyd ka raportuar gjithashtu për protestat që po zhvillohen në kryeqytet, duke përshkruar skenën dhe posterët e mëdhenj të vendosur në shesh me fotografitë e Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit.
“Në emër të popullit, shpalleni të pafajshëm”, ishte një prej mesazheve që gazetari irlandez thotë se kishte parë në qendër të Prishtinës.
Në reportazh citohet edhe gazetarja e Kanal 10, Diona Krasniqi, e cila i ka thënë medias irlandeze se protestat pritet të jenë paqësore.
“Do të jetë paqësore, askush nuk bën asgjë të keqe, ne thjesht po protestojmë për popullin tonë”, citohet të ketë thënë ajo.
Vëmendjen e gazetarit irlandez e ka tërhequr edhe një grup prej rreth 100 fëmijësh, të cilët, sipas përshkrimit të tij, po ecnin në Bulevardin “Nënë Tereza” duke brohoritur “UÇK”.
Sneyd shkruan se disa prej tyre mbanin veshje me simbole të UÇK-së dhe fotografinë e Thaçit, ndërsa përgjatë rrugës shiheshin flamuj të UÇK-së dhe flamuj kombëtarë shqiptarë.
Reportazhi ndalet edhe te kontrasti mes atmosferës së zakonshme të Prishtinës – kafeneve, qytetarëve dhe tifozëve irlandezë – dhe protestave që po zhvillohen vetëm pak metra larg.
Në këtë kontekst, gazetari e paraqet ndeshjen Kosovë–Irlandë jo vetëm si një ngjarje sportive, por si një takim që po zhvillohet në një moment kur në kryeqytet janë të pranishme edhe zhvillime të rëndësishme politike dhe shoqërore.
Kosova dhe Irlanda do të përballen në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, në kuadër të Grupit B3 të Ligës së Kombeve. /Kampionet/


