
Chelsea ka shfaqur interesim për një sulmues të ri, i cili u bë italiani më i ri që ka luajtur në Ligën e Kampionëve.
“Blutë” janë bërë të njohur për transferimin e disa prej talenteve më të mirë të rinj në botë, një strategji që e kanë ndjekur që prej blerjes së klubit nga BlueCo në vitin 2022.
Kjo strategji vazhdoi edhe gjatë afatit kalimtar të verës së vitit 2026, kur gjashtë nga transferimet e kryera nga Xabi Alonso ishin futbollistë të moshës 23-vjeçare ose më të rinj. Tashmë duket se trajneri spanjoll nuk ka ndërmend të ndalet në ndërtimin e një skuadre duke menduar për të ardhmen.
Sipas TEAMtalk, Chelsea ka shfaqur interesim për sulmuesin e Milanit, Francesco Camarda, i cili më herët kishte tërhequr vëmendjen e Manchester Cityt, Liverpoolit dhe Manchester Unitedit, përpara se talenti italian të vendoste të qëndronte në Milano.

I konsideruar gjerësisht si një prej sulmuesve të rinj më premtues në Evropë, Camarda ka shkruar tashmë historinë në dy kompeticione të ndryshme, edhe pse sapo ka mbushur 18 vjeç.
Ai u bë lojtari më i ri në historinë e Serie A kur debutoi me Milanin ndaj Fiorentinës në nëntor të vitit 2023, në moshën 15 vjeç e 260 ditë.
Më pas, në moshën 16 vjeç e 226 ditë, sulmuesi u bë italiani më i ri që debutoi në Ligën e Kampionëve, duke treguar edhe një herë arsyen pse vlerësohet kaq shumë nga njerëzit që e ndjekin nga afër.
Camarda nënshkroi kontratë afatgjatë me Milanin në vitin 2024 dhe sezonin e kaluar e kaloi në huazim te Lecce, që kishte një opsion për blerjen e tij. Megjithatë, gjiganti italian aktivizoi klauzolën e riblerjes dhe e riktheu sulmuesin në klub.
Ai ka zhvilluar tashmë 18 paraqitje me ekipin e parë të Milanit, por duke marrë parasysh talentin dhe potencialin e jashtëzakonshëm që posedon, sulmuesi shtatlartë dëshiron ta rrisë sa më shpejt këtë numër./Kampionet/



