
Sunderlandi mori një fitore të madhe sot (e shtunë) duke mposhtur Chelsean në udhëtim me rezultat 2-1, ndeshje kjo e vlefshme për xhiron e tetë të kampionatit anglez.
Ky triumf që i dha mysafirëve fitoren e dytë radhazi dhe përforcoi pozitën e dytë në tabelë me 17 pikë, nuk do të ishte i mundur pa paraqitjen fantastike të Granit Xhakës në mesfushë.
Ndonëse nuk shënoi apo asistoi, Xhaka me qetësinë dhe maturinë e tij ishte ai i cili u përfshi pothuajse në çdo aksion të Sunderlandit.
Kjo nuk kaloi pa u vënë re nga vet Liga Premier, të cilët pas përfundimit të ndeshjes i kushtuan një postim të veçantë Xhakës, duke përmbledhur momentet e tij më të mira ndaj “Bluve të Londrës”.
Se Xhaka pati një paraqitje fantastike, kjo u konfirmua edhe nga faqja e specalizuar për statistika Squawka.
Mesfushori shqiptar ishte lojtari që ka pasur më së shumti ndërhyrje të sakta (4) në këtë ndeshje.
Ai gjithashtu fitoi gjashtë nga shtatë duelet në të cilat ishte i përfshirë, duke mos shkaktuar asnjëherë ndërhyrje të palejushme.
Me superlativa për Xhakën foli edhe trajneri i Sunderlandit, Regis Le Bris i cili tha se Xhaka ka vendosur një standard të lartë si kapiten i ekipit dhe se ai është si një trajner i dytë në fushë për bashkëlojtarët e tij.
“Bilanci është vërtet pozitiv dhe Graniti është kapiteni, ai vendos standardet çdo ditë, dhe kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme”.
Granit Xhaka dhe Regis Le Bris
“Kur fillon një karrierë të re, mund të jesh shumë i talentuar dhe i aftë, por nuk e di ende se cilat janë standardet më të larta që duhet të arrish për të pasur sukses në nivelin më të lartë. Ai e vendos këtë shembull çdo ditë”.
“Në fushë, ai është një futbollist shumë i mirë dhe e pëlqen, madje e shijon rolin e tij si drejtues i skuadrës. Ai është si një trajner i dytë në fushë dhe është gjithashtu shumë i lidhur me lojtarët e rinj”, ka thënë Le Bris./Kampionet/


